Aktori i njohur Naum Shundi i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” nga gazetarja Nisida Tufa, deklaroi se është ndjerë shumë keq për prishjen e godinës të Teatrit Kombëtar.
“U ndjeva shumë keq që u prish teatri. Nuk kam pasur kurajon këta dy javë në atë hapësirë sepse e përjetoj shumë keq dhe nuk e di se kur do të mundem të kaloj andej. Më ka shkaktuar një dhimbje të madhe ai krim. Gjithë grupi që mbron Teatrin nuk kanë interesa, prandaj kjo është rezistenca më e bukur që ka ndodhur në Shqipëri. Këtu kur ndërhyn politika, gjithcka bëhet pis. Kjo është e vërtetë. I pari e nisi kryeministri hic i nderuar Edi Rama. Nxorri filan aktor jam pro prishjes, filan aktor thoshte po ashtu. Kjo është luftë klasesh në vitin 2020. Mor zotëri, ai të thotë cfarë të dojë, unë jam unë. Kjo është e poshtër. Kjo është politikë e ndyrë për të krijuar përcarje. Artistët nuk mund të përcahen kurrë”, u shpreh Shundi.
Naum Shundi tha se artistët që më vonë thanë se janë pro shembjes së godinës së TK, ose janë kërcënuar ose joshur nga pushteti.
“Të prishësh në 4:30 të mëngjesit një tempull të tillë, kur brenda ka aktorë, vetëm diktatorët e bëjnë. Kjo është tentativë vrasjeje. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dërguar në SPAK për këtë cështje akuzën për tentativë vrasjeje. Nuk e prisja prishjen e godinës, pasi mbrojtja që bëri Europa Nostra ishte një shtysë për ne të gjithë. Një godinë kulturore dhe Rama e Veliaj shkojnë e prishin. Është gënjeshtër ajo që duan të bëjnë një teatër të ri. Kanë hall të madh dhe është paraja halli. Unë kam lindur si aktor në TK. Gjithë rininë dhe gati pleqërinë gati po e kaloj atje. Kam kaluar aty 37 vjet të jetës. Kam fatin që si aktor kam punuar me regjizorë të mëdhenj si Spiro Dumi, Ervin Culi, Agim Qiriazi, Gëzim Kame e plot të tjerë. Këta më kanë bërë aktorë, regjizura e tyre.
Shkolla është për të hyrë në fushë, por pa trajner nuk luan dot. Nuk gjykoj njeri për deklaratat e artistëve, por janë tërhequr ose nga joshja ose nga kërcënimi. Janë një pjesë artistësh që kanë përfituar. I di me emra këta unë. Ka një pjesë tjetër që janë qen të rrahur që këlysh që kanë lepurin në bark, që thonë obobo nuk mund të jem dot kundër qeverisë unë. Vazhdon diktatura, sepse 50 vjet ka lënë gjurmë. Di emra konkretë, por nuk i them, sepse është e pamoralshme. Teatri u mbyll, kur disa regjisorë ishin në mes të punës. Vetëm Teatri në Shkodër ka protestuar. Kam besim tek SPAK, që të dënojë përgjegjësit. Nëse SPAK është i pavarur, atëherë mund të kemi zhvillime shumë pozitive për Teatrin, në rast të kundërt, vërtetohet se qeveria e ka kapur SPAK-un”, tha Shundi.
Për aktorin Shundi, prrishja e Teatrit Kombëtar ishte vetëvrasja politike e Edi Ramës.
“Unë vetëm fjalën kam në dorë, nuk kam gjë tjetër. Përpiqem që të jem sa më prezent me fjalën time dhe inshallah ka njerëz që më dëgjojnë. Teatri duhej ndërtuar sic ishte. Nuk jam kundër ndërtimit të Teatrit të ri, por jemi kundër prishjes së kësaj godine. Bëje godinën e re, por mos e prish ekzistuesen. Ai i gjati tha se do të shembë parlamentin e parë shqiptar, ka rrezik do i hyjë Muzeut, ka rrezik i hyn Galeritë të Arteve, nëse vazhdon të jetë në pushtet. Edi Rama të mos e teprojë, sepse kthehet në boomerang. Jam fyer rëndë si aktor me prishjen e godinës dhe prandaj as në zgjedhje nuk shkoj. Për mendimin tim kjo ka qenë vetëvrasja politike e Edi Ramës dhe besoj se elektorati nuk do jetë më me të”, vlerësoi Shundi.