Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka treguar se si janë 700 mjekë të papunë në Kosovë, e në anën tjetër shtëpitë e shëndetit gjithandej Kosovës shkruajnë letra që nuk kanë njerëz dhe po mbyllin repartet.
“Çdo ditë po ikin mjekë nga Kosovë, i bie në çdo ditë po ikë nga një mjekë e gjysmë. Nga këta 700 mjekë prej tyre 100 specialistë, e këta mjekë të rinj në Odën e Mjekëve po na e përmirësojnë statistikat e moshës ku kemi arritur në moshën 53 e ca, nëse këta 600 të rinj shkojnë, ne shkojmë diku të mosha 58 apo 59 e pas gjashtë vitesh do na duhet të na i mbyllim spitalet, e atëherë shoqëria dhe politikanët do ndalen të mendojnë çfarë ka ndodhur”, thotë Pleura Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve në Kosovë.
Ai ka folur edhe për idenë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që mjekët të zgjedhin për të punuar në privat ose në publik.
Sipas tij, kjo është në rregull nëse paga e mjekut do të ishte e mirë. Ai thekson se mjekët në Kosovë kanë pagën 600 euro dhe u duhet të punojnë në shumë orare për të marr një pagë më të dinjitetshme.
“Po, por kjo duhet të vlej për të gjithë. As kontabilisti i Qeverisë mos me mujt me shku me punu në privat, as deputeti dhe ministri mos me mujt me shku me dhanë mësim në disa vende, kjo le të bëhet për të gjithë. U pat dhanë ideja që të deklarojnë mjekët pasurinë, po, por të gjithë edhe këtë, secili që merr pagë nga shteti”, ka thënë Sejdiu në emisionin Oxygen.
Ai pranon se ka raste kur mjekët i referojnë pacientët për në privat.
“Për çka jenë këta drejtorë që paguhen me mijëra euro dhe ka me përcjell pse një pacientë po qëndron nga dy javë ditë aty, ku shkoi? Ka raste kur nuk ka operime që nuk kryhen në QKU dhe duhet me më pyet pse Pleurat po e kryen këtë operacion në Spitalin Amerikan e jo në QKU; valla me thanë unë nuk kam protezë, është në rregull, por ke protezën dhe po e dërgon në privat atëherë duhet dënuar. Pra është sistemi i menaxherëve, jo me u marr ku po shkon njëri me pi kafe por të merret me rastet e pacientëve”, thotë Sejdiu.