Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se aplikimi i masës së reciprocitetit me Serbinë vetëm pas vendimit të Kushtetueses nga ana e kryeministrit në detyrë, është akt i mentalitetit mashtrues të tij.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “qasja e tij: Kur jam unë në pushtet ka shtet e kur nuk jam në pushtet le të bëhet rrëmujë, është tipike e mentalitetit të ‘koalicionit të shpresës’ që për pak javë e muaj, ka dëmtuar shtetin tonë përtej pritjeve më pesimiste”.
“Fatkeqësisht, ky mentalitet shtet-rrënues do të zgjas për aq sa zgjat besimi i njerëzve në manipulimet dhe mashtrimet e tilla. Por, një njeri si Albin Kurti e një parti si Vetëvendosje, s’mundet ta mashtrojë një popull pafundësisht. Vendimet e orëve të tyre të fundit, s’do të heqin vëmendjen nga skandalet e shumta që kjo kastë mashtruesish krijoi për pak ditë në qeverisje”, ka shkruar ai.
Veseli ka shtuar se ditët e mira për Kosovën do të vijnë shpejtë.
“Sidoqoftë, Kosova ka fat të madh që ka përkrah SHBA-në dhe partnerët perëndimorë. Do të vijnë shpejtë ditë shumë më të mira se sa këto të mashtrimit të të pashpresëve që po perëndojnë”, ka thënë ai.