Gianna Floyd, vajza e George Floyd, 46-vjeçari afrikano-amerikan i vrarë nga një polic i bardhë në Minneapolis javën e kaluar, është vetëm 6 vjeç, por ajo nuk ka përse shqetësohet për shkollimin e saj në të ardhmen.
Kanye West ka krijuar një fond, i cili do të mbulojë plotësisht tarifat e kërkuara për shkollimin e vajzës, përfshirë atë universitar.
Për të shprehur mbështetjen e tij për familjen Floyd dhe lëvizjen “Black Lives Matter”, reperi dhuroi një total prej 2 milionë dollarësh, i cili gjithashtu do të mbulojë tarifat ligjore për familjet e Arbery dhe Taylor, të vrarë përkatësisht në Georgia në 23 shkurt dhe në Louisville në 13 Mars të këtij viti.
I kritikuar ashpër gjatë viteve të kaluara për mbështetjen e tij ndaj Donald Trump-it, bashkëshorti i Kim Kardashian-it këtë herë merr një qëndrim të vendosur antiqeveritar, pasi doli edhe vetë në shesh në përkrahje të protestave të “Black Lives Matter”.
Edhe pse nuk e komentoi vdekjen tragjike të George Floyd-it, West deshi të shprehte mbështetjen e tij të plotë dhe të përzemërt për familjen e 46-vjeçarit, dhe të gjithë komunitetit afro-amerikan.
Artisti gjithashtu ka vendosur të mbështesë me kontribute financiare sipërmarrjet afro-amerikane në qytetin e tij të lindjes, Chikago. Kim nga ana e saj është ofruar të paguajë faturat mjekësore për njërin prej protestuesve të plagosur në përleshjet e këtyre ditëve.