Liverpooli do të rikthehet në garën për titullin e parë në 30 vjetët e fundit me ndeshjen ndaj rivalit lokal, Evertonit, më 21 qershor. Premier League të premten ka zyrtarizuar kalendarin e rishikuar të ndeshjeve të tri xhirove të ardhshme.
Futbolli në Angli është pezulluar në mes të marsit për shkak të koronavirusit, por klubet kanë votuar për rifillim më 17 qershor. Më 17 qershor Manchester City e pret Arsenalin kurse Sheffield Unitedi luan në udhëtim ndaj Aston Villas.
Liverpooli ka epërsi prej 25 pikëve në krye të tabelës dhe është dy fitore larg titullit të Premier Leagues. Por mund të siguroj titullin më herët, nëse e mposht Evertonin dhe City humb nga Arsenali.
Liverpooli më pas mund të fitoj titullin më 24 qershor, kur e pret Crystal Palacen apo më 2 korrik kur takohet me Manchester Cityn.
Ende nuk është caktuar se ku do të luhen ndeshjet e Liverpoolit me Evertonin dhe Cityn.
Tottenhami që aktualisht është i teti, e pret Manchester Unitedin më 19 qershor, kurse Leicester City luan në udhëtim ndaj Watfordit më 20 qershor.
Të gjitha ndeshjet do të transmetohen, por shikuesit nuk do të lejohen në stadiume.