Në 18-vjetorin e partisë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se dëshiron një kryeministër shqiptar pas zgjedhjeve.
“Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve. Përballuam bashkë çdo sfidë dhe i besuam njëri tjetrit”, deklaroi Ahmeti.
”Përcaktuam dhe realizuam bashkë synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkarisht edhe qëllimin tonë të rradhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm, të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim së bashku si kryeministrin e parë shqiptar të vendit“, shtoi ai.
Kjo ngjalli një seri reagimesh në vend. LSDM, si partner i koalicionit, njoftoi BDI-në se nëse ky është kusht për koalicion qeveritar, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Në një fjalim me rastin e 18-vjetorit të partisë, në të cilën Ahmeti flet për përfitimet e popullit shqiptar në 18 vitet e fundit, tha mes tjerash se qëllimi i ardhshëm që duhet të realizohet është zgjedhja e një kryeministri shqiptar.