Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar pas sulmeve që i janë bërë Vjosa Osmanit në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave. Në këto të fundit kanë qarkulluar disa fotografi, ku babai i Osmanit, ishte pjesë e policisë serbe. E kjo ka zgjuar reagimin e të parit të LDK-së, e cila ka marrë qeverisjen në vend pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.
Sipas tij, përgjigjja në lidhje me këto sulme ndaj kryetares Vjosa Osmani është se nuk kanë pasur dhe nuk kanë argumente kundër saj, andaj si të tilla janë neveritëse.
“Atakimi i familjes së Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani është neveritës. Mospajtimet institucionale, rivalitetet partiake dhe politike duhet ti shprehim dhe debatojmë ndërmjet nesh, jo përmes etiketimit të prindërve, fëmijëve apo familjarëve. Kjo është mënyra më morbide e luftës politike. Nëse dikush ka pasur argumente, pse nuk i prezantoi ato, para se Vjosa të zgjidhej Kryetare e Kuvendit. Përgjigja është se nuk kanë pasur dhe nuk kanë”, tha kreu i LDK-së.
“Jam ndër ata që pareshtur më është sulmuar familja. Këto ditë po lexoj se disa që sulmonin dhe etiketonin në forma të ndryshme, tani e kanë filluar betejën ndërmjet tyre për dyshime në njëri tjetrin për abuzime, shantazhime, kurdisje e shumë punë të pista. Të gjithë përfundojnë kështu, por pasojat janë evidente nga njerëz të tillë”, përfundon Isa Mustafa.