Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) i ka bërë thirrje Brazilit të shkëmbejë informacione “në një mënyrë të qëndrueshme dhe transparente” rreth shpërthimit të koronavirusit në vend.
Brazili ka numrin e dytë më të lartë të rasteve në botë dhe kohët e fundit ka pasur më shumë vdekje të reja se çdo komb tjetër. Por autoritetet janë kritikuar pasi për disa muaj të dhënat e Covid-19 u hoqën nga një faqe interneti qeveritare.
Shefi i urgjencave shëndetësore të OBSH-së, Michael Ryan u tha gazetarëve se ishte me rëndësi jetike që informacioni të ndahej me agjencinë dhe me qytetarët e Brazilit për t’i mbajtur ata të sigurt.
“Ata duhet të kuptojnë se çfarë po ndodh. Ata duhet të kuptojnë se ku është virusi. Ata duhet të dinë se si t’i menaxhojnë rreziqet për ta”, tha Dr Ryan. “Ne kemi besim se çdo konfuzion që mund të ekzistojë në këtë moment mund të zgjidhet.”
Ministria e shëndetësisë në Brazil ka thënë se tani do të raportojë vetëm rastet dhe vdekjet për 24 orët e kaluara, duke mos dhënë më një shifër totale siç bëjnë shumica e vendeve. Presidenti Jair Bolsonaro tha se të dhënat e mbledhura nuk pasqyrojnë pamjen aktuale./BBC