Më 10 qershor 1878, 142 vite më parë, u mbajt Lidhja e Prizërenit. Përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajraklie të Prizrenit për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit dhe më vonë atij të Berlinit.
Synimi kryesor ishte mbrojtja ndaj rreziqeve të mënjëhershme, lakohej mbrojtja e Dinit, Devletit dhe Vatanit, mosnjohja e Bullgarisë dhe rikthimi me armë i territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi nëse nuk do t’i dorëzonin me vullnet të lirë.
Kur arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare, u mblodhën rishtas në Prizren më 1 korrik 1878, ndërsa Kuvendi i Përgjithshëm më 2 korrik miratoi Kanunin e ri, që i jepte të drejtë Lidhjes të kishte degët e saj në qendrat e ndryshme të Shqipërisë, të shpallte mobilizimin ushtarak e të gjithë burrave të aftë për armë, të mblidhte për nevojat e veta buxhetore një serë taksash të ndryshme, të kishte gjyqe të veçanta. Me këto të drejta, Lidhja e Prizrenit fitonte funksionet pushtetare të veçanta nga ato të Shtetit Osman dhe krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar.
Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar përvjetorin e Lidhjes duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më “lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve”.
Ai shton se trashëgimia e Lidhjes së Prizërenit duhet të shërbejë si frymëzim për rininë sa herë cënohet sovranitetil, liria dhe pavarësia.
“Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve.
Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia.”- shkruan Meta.