Mekanizmat e propozuar nga kryeministri Hoti në funksion të dialogut Kosovë-Serbi, duke ia përshkruar rolin edhe Kuvendit, janë refuzuar nga drejtuesja e këtij institucioni dhe opozita.
Derisa kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, ka thënë se Qeveria nuk mund t’i tregojë se çfarë duhet të bëjë, Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet asnjë ftese të Hotit pasi nuk ia njeh legjitimitetin e as kredibilitetin. Ndërkaq, në partinë tjetër opozitare (PDK) kanë thënë se ftesat nga studiot dhe deklarimet publike të zyrtarëve të ndryshëm nuk janë serioze, shkruan KOHA Ditore.
Shefi i ekzekutivit, të mërkurën, ka shpalosur kornizën dialoguese në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës prej ku ka propozuar themelimin e një forumi me liderët e të gjitha partive politike, ndërkaq brenda Zyrës së Kryeministrit do të formohet këshilli i ekspertëve. Kuvendit, Hoti ka thënë se, do t’i propozojë themelimin e një komisioni parlamentar për dialog, të cilin duhet ta udhëheqë opozita.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i ka thënë gazetës se Qeveria nuk mund t’i tregojë institucionit ligjvënës se çfarë mekanizmash t’i krijojë në funksion të mbikëqyrjes së dialogut.
“Komisione të reja mund të formohen me propozim të deputetëve dhe me votim të tyre. Qeveria nuk mund t’i tregojë Kuvendit se çfarë duhet të bëjë. Ne e mbikëqyrim Qeverinë. Ky është vendim ekskluziv i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sa i përket institucionit të cilin e udhëheq, Osmani ka përsëritur disa herë se do ta luajë rolin mbikëqyrës duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi, si dhe do të sigurohen që të mos shkelen vijat e kuqe, sa u përket integritetit, sovranitetit dhe rregullimit të brendshëm kushtetues të Kosovës.
Kryeparlamentarja i ka vlerësuar të rrezikshme qëllimet e Thaçit në dialog, duke kujtuar se ai asnjëherë nuk ka hequr dorë nga deklaratat për ndryshim të kufijve.
Të hënën ajo i ka çuar porosi presidentit duke i kërkuar që në vend se të dalë dhe të tentojë marrjen e kompetencave të Qeverisë, të deklarohet një herë e mirë se kurrë më nuk do ta vërë në tavolinë asnjë milimetër të territorit të Republikës së Kosovës.