Deputeti Lefter Koka ka firmosur nismën e tre grupeve parlamentare të opozitës parlamentare për heqje të koalicioneve dhe Lista të hapura.
Koka thotë se është i kënaqur me këtë zgjedhje dhe ka marrë mbështetje ndërkohë thotë se tashmë peshoren elektorale duhet të vendosë populli dhe jo më partitë.
“Deputetë pa vota dhe parti pa elektorat kemi pasur me bollëk prej 3 dekadash në parlament, që mblidhen si miza pas mjaltit të pushtetit, që i ofrojnë partitë e mëdha”- shkruan ai në një postim në Facebook, duke shtuar se “Përsëris dhe theksoj deklaratën time, se marrëveshja e bërë jashtë dyerve të parlamentit për t’i lënë gjërat siç janë, nuk i vlen askujt dhe unë për asnjë moment nuk dakordësoj me të”.
Ai fton kolegët e maxhorancës të dalin hapur në mbështetje të kësaj reforme reale.
Postimi i plotë:
Sapo kam firmosur nismën e opozitës parlamentare për reformimin e sistemit zgjedhor, me hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore!
Ndihem i kënaqur që me firmën time i jam përgjigjur pozitivisht qindra qytetarëve durrsakë, të cilët më kanë kontaktuar dhe inkurajuar me telefonata dhe mesazhe , pas prononcimit tim të fundjavës së kaluar në mbështetje të deputetëve Murrizi, Musai, dhe kolegëve të tjerë.
Është absolutisht shumë e qartë, jo vetëm për mua, por për çdo deputet që kanë mbështetjen dhe votën e popullit, se sot qytetarët shqiptarë qartaz kërkojnë në një shumicë partiake, të drejtën legjitime për të shprehur preferencën për deputetët që do i përfaqësojnë.
Deputetë pa vota dhe parti pa elektorat kemi pasur me bollëk prej 3 dekadash në parlament, që mblidhen si miza pas mjaltit të pushtetit, që i ofrojnë partitë e mëdha.
Mendoj se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë, ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha.
Përsëris dhe theksoj deklaratën time, se marrëveshja e bërë jashtë dyerve të parlamentit për t’i lënë gjërat siç janë, nuk i vlen askujt dhe unë për asnjë moment nuk dakortësoj me të.
Eksperimenti i dështuar i koalicioneve të mullixhinjve për inat të vjehrrës së radhës, nuk duhet ricikluar asesi më tutje në dëm të pastër të demokracisë.
Uroj që edhe kolegët e maxhorancës të dalin hapur në mbështetje të kësaj reforme reale. Nuk dua të besoj, se do i shkojnë deri në fund logjikës së gjetjes së kartonave jeshilë për të votuar dhe hapur rrugën një marrëveshje që nuk sjell asgjë të re.
Sepse as kartonat nuk do t’i gjejnë dot pa u hapur për reformen e kërkuar prej nesh dhe as popullin nuk kanë për ta gjetur dot të gatshëm për të vazhduar të votojë qorrazi listat 100% të mbyllura dhe koalicione si kuti të skaduara sardelesh!
Suksese të gjithëve!