Prokurori publik i Sudanit njoftoi të hënën se autoritetet e kanë zbuluar një varrezë masive në lindje të kryeqytetit Khartoum.
Besohet se në këtë varrezë ndodhen mbetjet e trupave të studentëve që ishin vrarë në vitin 1998 pasi ishin përpjekur t’i iknin shërbimit ushtarak, shkruan “Reuters”.
Prokurori njoftoi se kanë filluar hetimet në lidhje me këtë rast, duke shtuar se disa nga vrasësit e dyshuar që i përkisnin administratës së liderit të rrëzuar, Omar al-Bashir, janë arratisur nga vendi.
Omar al-Bashir kishte ardhur në pushtet në vitin 1989 përmes një puçi ushtarak kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të kryeministrit të atëhershëm, Sadiq al-Mahdi.
Në vitin 2009, ai ishte bërë presidenti i parë në pushtet që akuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve. Ai dyshohej për udhëheqje të fushatës së vrasjeve masive, dhunimeve dhe vjedhje.
Në shkurt të këtij viti, qeveria sudaneze njoftoi se do t’ia dorëzojë al-Bashirin drejtësisë ndërkombëtare për ta gjykuar.