Pas mbledhjes së Këshillit Politik këtë të hënë, bashkëkryetari për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh se palët kanë rënë dakord për një reduktim drastik të financimit privat të partive politike në periudhë zgjedhore.
“Diskutuam dy çështje kryesore. Identifikimi biometrik si dhe financimin e partive politike. Diskutuam të gjitha garancitë dhe drafti përfundimtar do të sigurojë që në zgjedhjet e ardhshme, identifikimi biometrik i zgjedhësve do të jetë në të gjitha pikat e votimit në Shqipëri. 100 përqind e zgjedhësve do të identifikohen përmes këtij sistemi. Sot ne ramë dakord për financimin e partive politike gjatë periudhës zgjedhore. Objektivi ynë është që të gjejmë një zgjidhje në të ardhmen, jo vetëm në kohë fushate por dhe në kohë jashtë fushate. Kemi rënë dakord që të ketë një reduktim drastik të financimit privat dhe reduktim të shpenzimeve ku shpenzimi do të jetë vetëm trefishi i financimit kryesor publik. Sot partitë politike kanë të drejtë të shpenzojnë 10 fishin e fondit publik. Paratë që marrin nga financimi privat janë jashtëzakonisht të larta. Kjo është një nga çështjet kryesore të dakordësisë të datës 5 qershor për administrimin e zgjedhjeve”, tha Bylykbashi.
Nesër Këshilli Politik do të mblidhet sërish në orën 17:00 për të diskutuar çështjet e hapura.