Takimi u mbajt ndërsa presidenti amerikan nënshkroi legjislacionin për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve kinezë për shtypje të Ujgurëve muslimanë
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është takuar me një diplomat të lartë kinez, njoftuan sot mediat kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, Yang Jiechi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (CPC), zhvilloi një dialog me Pompeon me kërkesë të këtij të fundit, të martën dhe të mërkurën.
“Të dyja palët paraqitën hapur qëndrimet e tyre përkatëse dhe vlerësuan se dialogu ishte konstruktiv”, thuhet në raport, duke shtuar se takimi u mbajt në shtetin amerikan Hawaii.
Yang është gjithashtu drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punë të Jashtme.
Të dyja palët “patën shkëmbime të thella” për marrëdhëniet Kinë-SHBA, si dhe për çështjet globale dhe rajonale me shqetësime të ndërsjella.
“Ata ranë dakord të ndërmarrin veprime për të zbatuar me seriozitet konsensusin e arritur nga krerët e shteteve të të dyja vendeve dhe për të mbajtur kontakte dhe komunikim”, shtoi raporti.
Përkundër kësaj, Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi legjislacionin të mërkurën i cili bën thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve kinezë për shtypjen që Pekini ushtron ndaj grupit etnik pakicë musliman Ujgur.
Legjislacioni “mban përgjegjës autorët e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve të tilla si përdorimi sistematik i kampeve, puna e detyruar dhe mbikëqyrja ndërhyrëse për të zhdukur identitetin etnik dhe besimet fetare të Ujgurëve dhe pakicave të tjera në Kinë”, tha Trump.
Rajoni Xinjiang i Kinës është vendbanimi i rreth 10 milionë Ujgurëve. Grupi musliman turk, i cili përbën rreth 45 për qind të popullsisë së Xinjiangut, ka akuzuar prej kohësh autoritetet e Kinës për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.
Deri në 1 milion njerëz, ose rreth 7 për qind e popullsisë muslimane në Xinjiang, janë burgosur në një rrjet të kampeve të “riedukimit politik”, sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të OKB-së.
Kina mohon akuzat, me arsyetimin se kampet shfrytëzohen si qendra të formimit profesional.