Një numër institucionesh politike dhe të sektorit privat në Australi janë sulmuar nëpërmjet internetit nga grupe të huaja që ekspertët thonë se kanë prejardhjen në Kinë ose shtetet si Rusia dhe Koreja e Veriut.
Qeveria australiane ka rënë pre e një sulmi të sofistikuar informatik nga shtetet e huaja.
Kryeministri Skot Morison deklaroi të premten se nivele të ndryshme të departamenteve qeveritare, industritë, organizatat politike, sektorë të arsimit, shëndetësisë dhe operatorë të infrastrukturave të rëndësishme të vendit prej muajsh janë ballafaquar me tentativën për piratimin e të dhënave të tyre sekrete.
Kreu i qeverisë refuzoi t’i identifikojë grupin apo aktorët e huaj që qëndrojnë pas sulmit.
“Australia nuk ngarkon faje publikisht dhe nëse e bëjmë, gjithmonë ndodh pasi peshojmë edhe interesat tanë strategjikë. Ajo që konfirmoj është se ka një numër aktorësh shtetërorë që merren me aktivitete të tilla, dhe ekspertët më thonë se kapacitetet e tyre janë të mëdha.”
Vitin e kaluar, agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Rojters, zbuloi se Kina ishte përgjegjëse për një sulm informatik ndaj parlamentit australian.
Burimi i sulmit nuk u konfirmua asnjëherë ndërsa Pekini mohoi përfshirjen.
Për ekspertët, një organizim kaq të avancuar kibernetik disponojnë edhe vendet si Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani, por në operacione spiunazhe marrin shpeshherë pjesë edhe vendet aleate.
“Po e ngremë këtë problem sot për të ndërgjegjësuar publikun. Kjo është bota ku jetojmë dhe këto janë rreziqet me të cilat përballemi.”
Kryeministri australian u bëri thirrje institucioneve dhe kompanive vendëse të rritin nivelin e gatishmërisë ndaj sulmeve kibernetike.
Ndërkohë raportet diplomatike mes Australisë dhe Kinës janë tensionuar muajt e fundit që pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit, për të cilën shteti ishullor ka akuzuar Pekinin dhe ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa Kina ka ngritur barriera tregtare duke apeluar qytetarët madje të shmangin udhëtimet drejt Australisë prej rrezikut të sulmeve me baza racore në vend.