Rezoluta e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, e miratuar në mënyrë unanime, nuk përmend SHBA-në apo vdekjen e George Floyd
Këshilli i të Drejtave të Njeriut (HRC) pranë Kombeve të Bashkuara (OKB) dënoi sot praktikat diskriminuese, racore dhe të dhunshme nga agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA kundër afrikanëve dhe atyre me origjinë afrikane, veçanërisht ato që çuan në vdekjen e George Floyd më 25 majit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rezoluta kundër brutalitetit policor, e rishikuar nga versioni i mëparshëm që veçonte SHBA-në, u miratua në HRC me konsensus dhe kërkoi një raport mbi “racizmin sistemik, shkeljet e ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut kundër afrikanëve dhe njerëzve me origjinë afrikane”.
Rezoluta u miratua njëzëri pasi versioni i mëparshëm i propozuar nga Grupi Afrikan i kishte bërë thirrje OKB-së që të formojë një komision të pavarur për “hetimin e vrasjeve policore të njerëzve me ngjyrë” dhe dhunën kundër protestuesve paqësorë në SHBA.
Rezoluta e rishikuar pas diskutimeve të mbyllura thotë se “dënon fuqishëm praktikat e vazhdueshme diskriminuese, racore dhe të dhunshme të kryera nga agjencitë e zbatimit të ligjit kundër afrikanëve dhe njerëzve me origjinë afrikane”.
Rezoluta i referohet “në veçanti” ngjarjes “që çoi në vdekjen e George Floyd më 25 maj 2020 në Minesota dhe vdekjen e njerëzve të tjerë me origjinë afrikane, si dhe dënoi racizmin strukturor në sistemin e drejtësisë penale”.
Rezoluta shprehu alarmin “për ringjalljen e dhunës, urrejtjes racore, gjuhës së urrejtjes, krimeve të urrejtjes, neo-nazizmit, neo-fashizmit dhe ideologjive të dhunshme nacionaliste të bazuara në paragjykime racore ose nacionale, duke përfshirë ringjalljen e ideologjive të superioritetit racor që nxisin urrejtje dhe dhunë kundër afrikanëve dhe njerëzve me origjinë afrikane”.
Turqia ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për një rritje të ideologjive të urrejtjes në Evropë, në veçanti islamofobinë, ksenofobinë dhe antisemitizmin.
Të mërkurën, vëllai i Floyd bëri thirrje OKB-së të formojë një komision të pavarur për “hetimin e vrasjeve policore të njerëzve me ngjyrë” dhe të asaj që ndodhi në SHBA pasi ai vdiq në duart e policisë.
Floyd, një afro-amerikan i paarmatosur, vdiq pasi u kap nga një polic i bardhë në Minneapolis, Minesota, muajin e kaluar, duke shkaktuar protesta të vazhdueshme në më shumë se 300 qytete në SHBA dhe në shumë vendje tjera nëpër botë.
“Vëllai im George Floyd është një nga shumë burra dhe gra me ngjyrë që janë vrarë nga policia vitet e fundit”, tha Philonise Floyd, duke iu drejtuar këshillit nga SHBA përmes video-lidhjes.
“E vërteta e hidhur është se çështja nuk është unike. Mënyra sesi ju e shihni vëllain tim të torturuar dhe vrarë në kamerë është mënyra se si njerëzit me ngjyrë trajtohen nga policia në Amerikë”, shtoi ai.
HRC me 47 shtete-anëtare mbajti debatin e thirrur posaçërisht për këtë, por SHBA nuk mori fjalën.
SHBA u tërhoq nga këshilli në vitin 2018, për akuzat me pretendim të paragjykimit ndaj Izraelit dhe akuzave se ky organ shërben si mbrojtës i abuzuesve të të drejtave të njeriut.
SHBA nuk u adresua gjatë debatit, por Andrew Bremberg, ambasadori amerikan në Gjenevë, OKB, lëshoi një deklaratë të shkruar më parë duke thënë: “SHBA njohin dhe janë të angazhuar për të adresuar të metat e saj, përfshirë diskriminimin racor dhe padrejtësitë që rrjedhin nga diskriminime të tilla që vazhdojnë në shoqërinë tonë”.