Rreth 22 mijë persona kanë dalë nga Kosova përmes pikave kufitare dhe ia kanë mësyrë Shqipërisë këtë vikend.
Derisa që nga e premtja e deri në paraditen e së dielës, në Kosovë kanë hyrë rreth 17 mijë persona, e të cilët u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dita kur numri më i madh i personave që kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë ka qenë e shtuna, ku nga Kosova kanë dalë 8 mijë e 462 persona, raporton KOHA.
Zyrtarë të pikës kufitare në Vërmicë, prapa kamerës kanë thënë se që nga hapja e kufijve tokësorë, këtë vikend ka pasur më shumë turistë drejt Shqipërisë, çka i ka shtyrë të punojnë me kapacitete të plota.
Vetë qytetarët të cilët u kthyen nga atje, disa prej të cilëve kishin përfunduar pushimet, thonë se nuk janë frikësuar nga infektimi i mundshëm.
Por, të shqetësuar janë zyrtarët e Komunës së Prizrenit, që apelojnë për kujdes të shtuar.
“Koha” ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë për këtë, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Në Shqipëri të dielën janë konfirmuar edhe 71 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në afër 2 mijë.