Prej ditësh dy liderët e partive opozitare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë zhvilluar takime në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Veç mesazheve politike që ata japin, synimi është që të bëjnë për vete sa më shumë njerëz për protestën kombëtare, të 13 prillit.
Për këtë protestë ka pak detaje deri tani nga partitë e opozitës. I vetmi ndryshim nga protestat e tjera, që është bërë publik, është ora kur do të zhvillohet.Pra që do të mbahet pasdite rreth orës 18:00.
Por nga Kavaja, në një takim me fermerë të Luzit të Vogël ai tha se të shtunën që vjen, dita ku zhvillohet dhe protesta, bota do t’i ketë sytë në Tiranë për të parë forcën e protestës.
“Dua të ju ftoj, ju banorë të Luzit, Kavajës dhe gjithë Shqipërisë, të vazhdojmë betejën tonë, ditën e shtunë me 13 prill në orën 18.00 pasdite, në një protestë madhështore kombëtare. Ju them se sytë e botës do të jenë aty të shtunën e ardhshme, për të parë forcën dhe bashkimin e një populli europian që nuk do të pranojë kurrë, asgjë më pak se çfarë kanë popujt e tjerë të Europës. Ndaj ju ftoj të mos mungoni, kështu të gjithë të derdhemi në Tiranë ditën e shtunë në orën 18.00 për të treguar me bashkimin tonë vullnetin e pakthyeshëm për ndryshim, për Shqipërinë europiane, për fitoren e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.