Prokuroria Publike Speciale në Maqedoninë e Veriut nga sot është shuar zyrtarisht, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Prokurorinë Publike.
Një nga prokuroret e saj, Fatime Fetai tha se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri nuk përfundon lufta për drejtësi.
“Kjo thjesht paraqet një normativë të re ligjore, e cila na jep mundësi të gjithë prokurorëve në mënyrë të re të ballafaqohemi dhe luftojmë kundër krimit. Si dhe në çfarë mënyrë ne do ta shfrytëzojmë këtë varet nga prokurorët”, ka deklaruar Fetai.
Ka folur edhe prokurorja tjetër Lençe Ristoska.
E hidhur është shija e ndarjes dhe e të gjitha planeve të parealizuara, por të ëmbla janë kujtimet për tejkalimin e sfidave të përbashkëta dhe shpërndarjes së energjisë, ka shënuar në rrjetet sociale prokurorja dhe zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Publike, Lençe Ristoska, me rastin e ditës së fundit të PSP-së, momentin e përshkroi si të hidhur-të ëmbël.
“Sot përshëndetemi me kolegët nga shërbimi-teknik profesional dhe administrativ dhe me hulumtuesit. Të punësuarve në PSP sot u është dita e tyre e fundit e punës dhe këta njerëz prej sot mbesin pa punë” Sot bashkëpunëtori im profesional më tha: ‘E dhimbshme është prokurore, sikur kur përfundon shkolla e mesme, katër vite jemi bashkë, sa shumë gjëra kemi ndarë, kishte periudha kur më shumë isha në punë se në shtëpi’. Dhe kështu ishte”, ka shënuar mbrëmë Ristoska.
Specialja u formua në vitin 2015 për të hetuar përmbajtjen e materialeve të përgjimeve. Por ajo u devalvua pasi që kryeprokurorja Katica Janeva u zbulua për përfshirje në veprime të paligjshme korruptive/INA.