Turqia shprehu sot “zhgënjimin” e saj pasi u përjashtua nga lista e vendeve që do të lejohen të udhëtojnë në Bashkimin Europian, duke bërë thirrje për “riparimin e këtij gabimi”.
“Ne jemi të zhgënjyer që nuk u bëmë pjesë e kësaj liste”, deklaroi zëdhënësi i diplomacisë turke, Hami Aksoy në një komunikatë.
“Ne presim që ky gabim të rregullohet sa më shpejt”, shtoi ai.
Sipas kësaj liste, të publikuar dje nga BE dhe që nuk është detyruese për shtetet anëtare, udhëtarët e 15 vendeve, përfshirë dhe Kinën, nën kushte, janë të autorizuar të udhëtojnë në hapësirën Schengen.
Turqia dhe SHBA-ja u përjashtuan nga kjo listë, që do të rishikohet çdo dy javë.
Ky vendim është një goditje për imazhin e Turqisë, që po përpiqet që prej disa javësh të prezantohet si një vend i sigurt me qëllim për të tërhequr vizitorë dhe për të shpëtuar sezonin turistik veror.
Ankaraja konfirmoi se kishte luftuar me sukses pandeminë e koronavirusit të ri, duke shfaqur një përqindje vdekshmërie relativisht të ulët.
Sipas bilancit zyrtar Turqia ka regjistruar rreth 5 100 të vdekur për rreth 200 000 raste.