Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë të ditur se edhe tre persona të tjerë të prekur me koronavirus kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit, duke e çuar në 69 numrin e personave që kanë humbur betejën me virusin.
Jetën kanë humbur një 63-vjeçare nga Tirana, një 65-vjeçar nga Tirana dhe një 60-vjeçar nga Elbasani. Viktimat kanë pasur disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe si pasojë në spitalin infektiv, pavarësisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor kanë humbur betejën me koronavirusin e ri.
Ndërkohë, prej 368 testimeve brenda 24 orëve janë konfirmuar edhe 82 raste të reja me Covid-19, duke e çuar në 2662 numrin total të të prekurve, ndërsa rastet aktive kanë kaluar tashmë mbi 1034.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1559 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Prej fillimi të pandemisë, në Shqipëri janë realizuar gjithsej 27.671 testime.