Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho u shpreh sot e Shqipëria e ka humbur kontrollin e pandemisë COVID-19, por megjithatë komentoi se shifrat aktuale të infektimeve dhe viktimave përputhen me trendin botëror të coronavirusit.
“Unë shoh një mungesë kontrolli mbi situatën, që është shqetësues. Kemi një administratë të pambrojtur, kemi biznese të pambrojtura, herë pas here kemi dëgjuar për shpërthime që ndodhin në biznese të ndryshme. Fatkeqësisht ai që është problemi kryesor është se kemi shpërthime në spitale, dhe sidomos në Nënë Tereza. Pra është kjo mungesë kontrolli, që do të thotë se nuk jemi si në vendet e zhvilluara në Itali apo Gjermani, që nëse kemi një tendencë në përkeqësim merret një masë që e kundërshton atë dhe e sjell situatën në normalitet,” tha Dasho në “Euronews Albania”.
Sipas ekspertit të shëndetit publik Shqipëria “ka ngritur duart përballë krizës”.
Dasho tërhoqi gjithashtu vëmendjen për mungesën e komunikimit mes komitetit të menaxhimit të COVID-19 në Shqipëri me publikun.
“Nuk i dimë masat që ata kanë parashikuar në këtë situatë, por po të mos ishte ky shqetësim që mua më duket se ka humbur kontrolli mbi situatën, nuk do të shqetësohesha nga numrat në rritje,” deklaroi eksperti.
Pyetur lidhur me nevojën e ndryshimit të strategjisë, Dasho u përgjigj se duhet Shqipërisë së pari i duhet një strategji që deri më tani nuk e ka pasur.
“Deri tani jemi hapur në mënyrë kaotike dhe pikërisht kjo na ka penalizuar, ndaj jam i shqetësuar,” tha eksperti.
Ai rekomandoi strategji të mirëfillta për parandalimin e përhapjes në spitale dhe institucione, përmes protokolleve dhe trajnimit të stafit për ndjekjen e tyre.
“Kjo situatë është e turpshme dhe e rendit Shqipërinë në nivel afrikan. Ne nuk jemi evropian, jemi i fundit në Evropë për kryerje tamponësh, ndërsa vendi i parafundit bën dyfishin e tamponëve në raport me ne,” përfundoi eksperti i shëndetit publik.