Gjermania ka marrë presidencën e BE-së dhe në daljen e saj për të shpalosur përparësitë dhe platformën gjermane, Kancelarja Angela Merkel ka përmendur dhe negociatat me Tiranën e Shkupin.
Sipas kancelares, brenda këtij viti duhet të hapen kapitujt e parë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas Merkel, hapja e negociatave është një sinjal i rëndësishëm që do duhet të vijë nga BE për të gjithë rajonin e Ballkanit.
“Konferencat e hyrjes me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë duhet të mbahen këtë vit dhe kapitujt e parë duhet të hapen,” u tha Angela Merkel eurodeputetëve këtë pasdite.
Nëse të dy vendet ruajnë ritmin e tanishëm të reformave, kapitujt e parë të negociatave mund të hapen në nëntor ose dhjetor.
Presidenca gjermane planifikon ta vendosë çështjen në axhendën e Këshillit të BE-së në nëntor.
Deri atëherë, Komisioni Evropian gjithashtu duhet të botojë raporte të rregullta mbi përparimin e reformave në të gjitha vendet e rajonit.
Komisioni Evropian javën e kaluar dorëzoi në Këshillin e BE-së një projekt-kornizë të negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.