Kultivimi dhe mbledhja e bimëve medicinale dhe aromatike në Shqipëri ka një histori të gjatë, por edhe një potencial të madh për zhvillim dhe rritje.
Për të nxitur këtë potencial, projekti zviceran RisiAlbania ka iniciuar një bashkëpunim me bashkitë dhe aktorët e sektorit privat në mbështetje të investimeve dhe krijimin të vendeve të punës në kultivimin organik të BMA-ve.
“Kjo nismë iu mundëson të rinjve diversifikimin e burimit të të ardhurave ndërkohë që njëkohësisht mbështet një zanat tradicional shqiptar”- u shpreh zëvendëskreu i misionit ziceran në vendin tonë, Patrik Meier gjatë vizitës në bashkinë e Kolonjës dhe tek partneri i projektit në Prrenjas.
Nxitja për investime në kultivimin organik dhe përpunimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, synon të ketë një ndikim pozitiv në rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe të të ardhurave nga eksporti.
Prej disa muajsh bashkia Kolonjë po bashkëpunon me projektin zviceran, në drejtim të zhvillimit të këtij sektori që të sjellë mundësi të reja për fermerët lokalë, duke tërhequr interesin e tyre në investime dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e zonës.
Ndërsa ky biznes është mjaft fitim prurës, për shkak të kërkesës së lartë për këto bimë në tregjet e huja, që sjellin ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale të zonës.