Presidenti Ilir Meta thotë se është thellësisht i shqetësuar nga konkluzionet e bëra sot publike nga “Zëri i Amerikës” sipas të cilave “e drejta për informim nga administrata publike u vështirësua nga pandemia dhe se gjatë muajve të fundit gazetarët janë përballur në mënyrë të përsëritur me refuzim të institucioneve për të dhënë informacione me rëndësi për qytetarët”.
Sipas Kreut të Shtetit, pohimi i ekspertëve të medias në VOA se “kjo periudhë e jashtëzakonshme në Shqipëri është shoqëruar me një censurë të fortë informacioni”, është tepër e rëndë dhe kërkon urgjentisht reflektim serioz dhe të përgjegjshëm.
Presidenti thekson se gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është edhe drejta e lirisë së informimit.
“Është e patolerueshme çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes”, thotë Meta.
Në këtë kuadër, Meta përshëndet dhe e vlerëson edhe qëndrimin e bërë sot publik nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku ndër të tjera theksohej se “veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”.
Institucionet publike e vështirësuan akoma më shumë gjatë pandemisë dhënien e informacioneve për gazetarët.
Në materialin e përgatitur për Zërin e Amerikës nga gazetari i “Faktoje”, Marjo Brakaj, thuhet se kulmin e shqetësimit të qytetarëve nga koronavirusi dhe kërkesave të gazetarëve për të dhëna zyrtare, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, apo institucione të tjera, shpesh refuzojnë të japin infomacionin e kërkuar, ose e ofrojnë atë të cunguar.