Rritet shkalla e vdekshmërisë si pasojë e COVID-19 në vendin tonë. Në dy javët e fundit të korrikut ka pasur një shtim të rasteve fatale.
Referuar të dhënave zyrtare janë 150 persona që kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë. Pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë, ku deri më tani janë regjistruar 80 viktima.
Dje kanë humbur betejën me koronavirusin edhe dy paciente, të shtruar prej ditësh në spital.
“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin COVID-1, një 68- vjeçare nga Shijaku me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Ka humbur jetën në spitalin COVID-2 ‘Shefqet Ndroqi’, një 60- vjeçare nga Tirana, pa sëmundje të tjera”, tha Mirela Cami.
SITUATA NË SPITAL
Shifrat në rritje të të infekturave nuk kanë sjellë përkeqësim të situatës në dy spitalet COVID. Në këto dy struktura, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht po marrin trajtim mjekësor 125 pacientë, 17 prej të cilëve në terapi intensive dhe 7 të intubuar. “Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 125 pacientë, 17 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar”, tha më tej Cami. Shqetësues është fakti që COVID-19 po u kushton jetën edhe moshave të reja dhe personave pa sëmundje të tjera.
RASTET DITORE
Në 204 orët e fundit janë konfirmuar pozitivë me koronavirus 108 pacientë nga 502 testime të kryera. “Në 24 orët e fundit, janë kryer 502 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 52 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Kukës, 6 në Fier, 5 në Mirditë, 4 në Tropojë, nga 3 raste në Vlorë, Kamzë, Përmet, nga 2 raste në Elbasan, Tepelenë, Memaliaj nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Lezhë, Has, Berat, Pogradec, Përrenjas. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2830, që nga fillimi i epidemisë”, është bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë. COVID-19 ka pushtuar së fundmi edhe sallën e Parlamentit.
Të martën, tre deputetët, Ralf Gjoni, Eljo Hyska dhe Enver Roshi, kanë bërë me dije se kanë rezultuar pozitivë në testin e koronavirusit. Po ashtu, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ndarë në rrjetet sociale lajmin se është i infektuar dhe se për një periudhë dyjavore do të qëndrojë izoluar në shtëpi.