erapia e plazmës për të prekurit nga COVID-19 në spitale është një trajtim i veçantë i infeksionit, por ende nuk mund të jepen garanci për efektin real që ai do të ketë në shërimin e tyre.
I këtij mendimi është mjeku Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, mbi terapinë që sipas autoriteteve shëndetësore shqiptare do nisë të aplikohet edhe në vendin tonë.
“Ende deri në momentin që flasim, nuk ka trajtim specifik të virusit. Në këtë sens, trajtimi me plazmë mund të cilësohet si trajtimi i vetëm specifik. Për momentin janë duke u zhvilluar ende një numër i madh provash klinike për të vërtetuar përfundimisht nëse trajtimi me plazmë ka ose jo efekt klinik”, tha Dasho.
Mjeku Dasho shton se kjo lloj terapie po aplikohet në mjaft vende, mes tyre edhe Italia e Gjermania, por gjithsesi ai ende nuk figuron si një rekomandim kyç nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare.
“Në këtë sens unë do të thoja që ky trajtim duhet vlerësuar se e shohim në shumë vende që përdoret sidomos në momentet kur nuk ke çfarë taktikash të përdorësh me pacientët. Por, do të thoja që përsëri është një trajtim për të cilin ende nuk ka një përgjigje të saktë shkencore se çfarë ndikimi ka në shërimin e personave të prekur nga Covid dhe ende nuk është futur në rekomandimet e forta të organizmave që hartojnë protokollet e trajtimit për sëmundjet dhe në rastin konkret, për Covid-19”, shton ai.
Plazmën konvaleshente mund ta dhurojë një person që është shëruar nga Covid-19; mashkull i moshës 18-65 vjeç, ose femër e së njëjtës grupmoshë, që nuk ka pasur asnjë shtatzëni; të ketë kaluar infeksionin SARS COV2 dhe të figurojë 28 ditë pa simptoma të Covid-19.
Ai komentoi edhe shifrat e rritura sërish së fundmi, të rasteve të reja me Covid-19 në disa vende si Italia, Gjermania, deri edhe Koreja e largët.
“Kjo është pjesë normale e cikleve të sëmundjeve infektive, të cilat e gjejnë popullatën jo-imune, pra është një sëmundje e cila për herë të parë hyn në popullatën njerëzore. Kjo është një situatë normale, e pritshme. Të gjitha vendet e BE-së e kishin deklaruar se kjo do të ndodhte. Dhe ç’është më e rëndësishmja, që ato ndryshe nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përgatitura për ta përballuar këtë valë të dytë. Në Shqipëri rastet rriten se nuk ka kontroll, infeksioni është lënë jashtë kontrollit. Në Evropë rastet shtohen se kontrollet i nënshtrohen njësive infektive, kapen në kohë dhe merren masa propocionale”, shtoi mjeku.
Ndërsa në lidhje me Shqipërinë, mjeku nuk mund të japë një parashikim të saktë se çfarë e pret vendin në vijim.
“Çfarë na pret në shtator ne nuk e dimë dhe nuk kemi për ta ditur ndonjëherë. Sepse në Shqipëri ne nuk e kontrollojmë ne sëmundjen por na kontrollon sëmundja ne. Pra, që në muajin maj vendi është në mëshirën e tekave të virusit, sepse ne nuk kemi kontroll mbi sëmundjen”, u shpreh Dasho ne Euronews.