Kapiteni i Manchester United, Harry Maguire është arrestuar në ishullin Grek të Mykonos pasi ‘sulmoi oficerët e policisë jashtë një bari’, sipas raportimeve.
Mbrojtësi anglez dyshohet se ishte përfshirë në një sherr me turistët e tjerë britanikë në orët e para të mëngjesit të së premtes përpara se policia të ndërhynte.
Sipas mediumit grek Protothema, tre të dyshuarit, përfshirë Maguire, më pas sulmuan policët fizikisht dhe verbalisht para se të dërgoheshin në komisariatin e Mykonos.
Manchester United ka reaguar: “Klubi është i vetëdijshëm për një incident të supozuar që përfshin Harry Maguire mbrëmë në Mykonos. Harry është kontaktuar, dhe ai po bashkëpunon plotësisht me autoritetet greke. Nuk do të bëjmë asnjë koment tjetër.”
Një zyrtar policie i tha ESPN: “Futbollisti nisi të abuzonte verbalisht ndaj një oficeri dhe më pas e goditi. Të tre po rezistonin kur u dërguan në stacionin e policisë në Mykonos.”
Pamjet e postuara në mediat sociale treguan se Maguire ishte duke u përzier me turistë të tjerë më herët gjatë kësaj jave në klubet e Mykonos.