Parlamentit do t’i shtohet edhe një tjetër deputet nga listat e Partisë Demokratike.
Ai është Koçi Tahiri, kryetar i Partisë Demokracia e Re Europiane, i cili dorëzoi në KQZ formularin e pranimit të mandatit që lanë kolegët e tij demokratë.
70-vjeçari Tahiri në zgjedhjet e fundit ishte kandidat në listat e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës dhe i fundit në listën shumemërore, por pas refuzimit të kolegëve të tjerë për të marrë mandatin, atij i erdhi radha të bëhet deputet.
Tre muaj pa lënies në bllok të mandateve nga deputetët e opozitës, vendet e tyre deri më tani janë zëvendësuar me 17 deputetë nga listat e PD dhe 14 nga LSI. Ky numër pritet të rritet pasi paraditen e të shtunës KQZ ia dha mandatin edhe Klajdi Qamës nga LSI e Beratit.
Nga listat e PD janë në pritje për të marrë konfirmimin nga KQZ edhe tre kandidatë për deputetë. Ata janë Kujtim Gjuzi nga lista e PD Durrës, Koçi Tahiri nga PD Korçë dhe Indrit Hoxha nga PD Tiranë.
Në këtë mënyrë numri i deputetëve që kanë pranuar mandatin, shkon në 35, duke e çuar në total numrin e deputetëve në kuvendin e Shqipërisë, në 114./Top Channel/