Kandidati për president të Barcelonës, Victor Font, ka deklaruar se është vonë që Messi do ta ndryshojë mendjen për t’u mos u larguar, por insiston se ende ka shpresë.
Ditë më parë Leo Messi kishte bërë kërkesë për t’u larguar nga klubi pas një bisede me trajnerin Ronald Koeman, derisa ka shprehur edhe dyshimet e tij rreth projektit të Barcelonës për sezonet e ardhshme.
I pyetur nëse Messi do të qëndrojë në Barcelonë, Font është shprehur se, “kjo është ajo që shpresojmë. Derisa nuk do të jetë e finalizuar gjithmonë ka shpresë. E gjithashtu vërtet shpresoj se ky vendim mund të ndryshohet”.
“Por, kjo nuk duket se do të ndodhë dhe nëse ky është rasti atëherë fokusi duhet të jetë që këtë tranzicion ta bëjmë sa më të butë që është e mundur. Dhe marrëdhëniet ndërmjet Barcelonës dhe Messit shkojnë shumë thellë, mbesin aty, prandaj në një mënyrë duhet të sigurohemi që ato të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, është shprehur ai, raporton Sky Sports.