Shqipëria dhe Kosova mesazhe urimi për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti i Shqipërisë dhe kryeministri i Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, u kanë dërguar mesazhe urimi Presidentit Pendarovski dhe Kryeministrit Zaev

Zyrtarët e lartë të Shqipërisë dhe Kosovës, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, u kanë dërguar mesazhe urimi Presidentit Stevo Pendarovski dhe Kryeministrit Zoran Zaev, transmeton Anadolu Agency(AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e 8 Shtatorit, i ka dërguar mesazh urimi homologut të tij Pendarovski, duke theksuar se dy vendet kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira të fqinjësisë.

“Jam i lumtur të konstatoj se, falë edhe vizionit dhe interesave të përbashkëta europiane dhe euroatlantike, në tre dekadat e fundit ne kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira të fqinjësisë e të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të të dy vendeve tona dhe qytetarëve të tyre”, thekson Meta në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale.

Presidenti Meta ka theksuar më tej se “Shpreh bindjen se një ndikim shumë të madh në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike mes shqiptarëve e maqedonasve. Shqiptarët në Maqedoni (të Veriut) dhe komuniteti maqedonas në Shqipëri janë vlera dhe ura të forta miqësie e bashkëpunimi”.

Meta shprehet në mesazhin drejtuar Pendarovskit se “Zgjedhjet parlamentare të korrikut të kaluar, me siguri do t’i japin një shtysë mjaft pozitive procesit të integrimit europian të vendit tuaj, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe forcimit të sigurisë, paqes e prosperitetit të të gjithë rajonit”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mesazhin dërguar Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, thekson se “Në këtë ditë kremteje, ne u gëzohemi sukseseve të Republikës së Maqedonisë (së Veriut) në udhën e forcimit të institucioneve demokratike dhe të integrimit euroatlantik”.

“Qeveria ime është e vendosur që t’i thellojë marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale, në të mirë të prosperitetit dhe të ardhmes së dy vendeve tona”, shkruan Hoti në mesazhin e tij, të publikuar në rrjetet sociale.

Kujtojmë se më 8 shtator Maqedonia e Veriut shënon Ditën Pavarësisë.

Share This Article