Qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës kanë përfunduar hartimin e draft-marrëveshjeve që do të nënshkruhen gjatë mbledhjes së dy kabineteve këtë të premte në Shkodër. Me interes Kosova pret hapjen e pikës së saj doganore në Portin e Durrësit.
Dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të takohen në Shkodër këtë të premte. Lajmi u bë i ditur të hënën në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ku zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim, tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar.
“I kërkoj mirëkuptim ministrave tonë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje. Për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet nesër”, tha ajo.
Ndër vite qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi, por shumica e tyre kanë mbetur vetëm në letër apo janë të pazbatueshme.
Me interes Kosova pret hapjen e pikës së saj doganore në Portin e Durrësit apo lidhjen hekurudhore me Shqipërinë. Për këtë të fundit pritet të realizohet një studim fizibiliteti me mbështetjen e qeverisë amerikane, gjë që u përfshi dhe në marrëveshjen për normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Gjithashtu Kosova kërkon të shfrytëzojë një prej hidrocentraleve të Shqipërisë për nevojat e saj dhe shtimin e pavarësisë energjetike.