Revista me nam botëror, Forbes, ka publikuar së fundmi një artikull për disa nga vendet e botës, të cilat mund të vizitohen lehtësisht në këtë kohë pandemie.
Në veçanti hapësirë u është dhënë katër shteteve: Kolumbisë, Marokut, Republikës Domenikane dhe Kosovës.
Teksa për këtë të fundit, rrallë është shkruar në mediumet ndërkombëtare si një vend i dëshirueshëm për t’u vizituar, revista në fjalë ka cekur një arsye shumë të veçantë se pse duhet vizituar vendi ynë.
Përveç faktit se mund të vihet lehtësisht dhe pa ndonjë testim, shkaku i statusit ende të paqartë, “Forbes” rendit si një arsye më shumë për të shkuar në Kosovë faktin se këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, vjen prej atij vendi.
Ata, gjithashtu, shkruajnë për klipin “Shine Ya Light” të këngëtares, i cili para tetë viteve u realizua në Kosovë, si një dedikim për vendin e saj amtar.
“Kërkesat e hyrjes: nuk ka asnjë kufizim. Statusi i Kosovës për vizitorët ka qenë i paqartë në disa raste, por tani duket se vizitorët mund të shkojnë në një vend të vogël të Ballkanit pa ndonjë test ose kërkesë karantine. Vini re se ka orar qarkullimi në fuqi nga ora 22:30 deri në 5:00 të mëngjesit. Pse të shkojmë në Kosovë? Ndër shumë arsye të tjera, ylli i muzikës pop, Rita Ora është prej andej (ajo e xhiroi këtë video në kryeqytetin Prishtinë)”, shkruan “Forbes”.
Ndërsa, sa i përket trendit aktual të COVID-19, “Forbes” shkruan se “Kosova nuk është e qartë për nga rritja e numrit, por numri i rasteve të përditshme dhe vdekjet e saj janë pak më të ulëta se majat e tyre kohëve të fundit”.
Dhe kjo është e vërtetë, pasi fatmirësisht në Kosovë javëve të fundit shënohen shumë më pak raste të infektimit dhe vdekjeve nga koronavirusi.