Ekspertët parashikojnë që pandemia e Covidit e bashkuar me virozat stinore të gripit normal do mbingarkojnë sistemet shëndetësore dhe do përkeqësojnë bilancet nëse nuk ndërhyhet. Në disa vende europiane po vërehen rekorde rastesh të reja me koronavirus.
Britania e Madhe dhe Franca kanë shënuar rekorde të reja ditore me të infekuarit nga Covidi-19.
Dy vendet europiane raportuan përkatësisht 6 mijë dhe 16 mijë raste pozitive brenda 24 orëve, ndërsa viktimat në Britani po shkojnë në 42 mijë e në Francë e kanë kaluar shifrën 31 mijë.
Baret, pabet dhe restorantet në Londër prej ditës së martë u njoftuan nga qeveria për masa të reja që mund të zgjatin deri në gjashtë muaj.
Maskat janë bërë të detyrueshme në shumë ambiente dhe autoritetet thonë se do të tregohen më rigoroze për mbajtjen e tyre.
Kufizime të ngjashme u shpallën të mërkurën për qytetet më të mëdha franceze, por ato janë ndeshur me revoltën e politikanëve lokalë, qytetarëve dhe pronarëve të bizneseve në Paris dhe Marsejë.
“Më mirë do ishte të rregullonim sjelljen tonë në bare dhe restorante. Kështu e dëmtojmë ekonominë, punonjësit e sektorit, dhe kjo më shqetëson.”
“Kjo masë më duket jo shumë larg diktaturës. Nuk e kuptoj pse lejohen mijëra e mijëra njerëz të përdorin transportin publik duke u ngjeshur pas njëri-tjetrit, dhe nga ana tjetër mbyllin bizneset.”
Shtimi i rasteve dhe i shtrimeve në spitale mendohen nga ekspertët si shenjta të valës së dytë të pandemisë së koronavirusit që ka vrarë gati 1 milion veta në nëntë muajt e parë të vitit, dhe pritet të marrë akoma më shumë jetë njerëzish kur të përplaset edhe me virozat e stinës.
“Të mos e ulim vigjilencën. Vjeshta dhe dimri janë periudha e vitit kur ka më shumë sëmundje respiratore. Për të parandaluar një binjakëzim të pandemive të kovidit dhe gripit, duhet të rritim shkallën e vaksinimit, të respektojmë rregullat e distancimit, të mbajmë maskat, të lajmë duart dhe të takojmë vetëm personat që janë brenda rrethit tonë shoqëror.”
Spanja mban rekordin e të infektuarve të konfirmuar që tani kanë arritur në 700 mijë, duke u shtuar me 200 mijë raste të reja në më pak se 1 muaj, ndërsa në nivel botëror, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë si për vatrat e infeksionit, edhe për viktimat, ndjekur nga India, Brazili, Rusia dhe shtetet latine si Kolumbia, Peruja dhe Meksika.