Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë mbledhjes së bërbashkët me Qeverinë e Kosovës ka thënë se shpreson që të mos ketë më probleme për qytetarët e Kosovës të punësuar në Shqipëri dhe anasjelltas.
Rama ka uruar që të funksionalizohet sa më shpejt marrëveshja që pritet të nënshkruhet nga dy qeveritë për mobilitetin në punë.
“Unë uroj me gjithë zemër që ky mobiliteti në punë të funksionojë sa më shpejt dhe të mos ketë më nga këto problemet palidhje për njerëzit që duan të punojnë këtu nga Kosova apo në Kosovë nga Shqipëria”, tha Rama.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, paraprakisht tha se kjo marrëveshje do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në çështjen e punësimit dhe arsimit profesional.
Ndërkaq ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Skender Reçica tha se nga sot një qytetar i Shqipërisë mund të marrë shërbime pa problem në institucionet e Kosovës dhe anasjelltas.