Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi fratin françeskan, poetin dhe shkrimtarin Atë Bernardin Palaj i cili vdiq nga torturat i lidhur me tela të ndryshkur.
“Të tanë copash mendja m’ju ka bâ. Kur ndërmendi i Shqipnisë po m’i bjen. Gjumi i natës atë kurr nuk po ma merr. E m’i lutet Zotit, që rrin në qiell. Për njatë gjak të këtyne trojeve që âsht derdhë. Njanën dysh i Lumi me e bâ: Ndo edhe ‘i herë Shqipninë Ai me na e falë”, janë fjalët e tij.
Atë Bernardin Palaj lindi në fshatin Shllak në 2 tetor 1894 e më pas u shpërngul familjarisht në qytetin e Shkodrës. Ishte i biri i Gjon dhe Marte Dedajt e u pagëzua me emrin Zef. Mësimet fillore e të mesme i zhvilloi në shkollën e etërve françeskanë, ndërsa Liceun e kreu në Salzburg dhe studimet teologjikë e filozofike në Innsbruck.
Për disa vite dha mësim në liceun “Illyricum” lëndët gjuhë shqipe dhe latinisht e më pas shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Iu kushtua poezisë, prozës, muzikës, si dhe ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare qysh prej 1940. Krijimet e tij u botuan në gazetat si “Ora e Maleve” “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Tomori” etj. Ka botuar edhe librat “Prej burgut të jetës”; “Vorreve të flamurit”, “Kuq e zi, “Mite, besime, legjenda” (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); “Kanuni i maleve” etj.
U akuzua si “agjent dhe bashkëpunëtor i fashizmit” dhe u burgos në vitin 1947. Ai ra pre e torturave mizore të diktaturës, pasi u mbajt lidhur me tela të ndyshkur, të cilët i hapën atij plagë të pashërueshme dhe vdiq në 2 dhjetor 1946. U varros në oborrin e ish-sanatoriumit në Shkodër.
U shpall i Lumë më 5 nëntor 2016, në sheshin e katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.