Sulmuesin të cilin e synon Kosova, Andi Zeqiri, po vazhdon me efikasitet. Por ai po shënon gola me fanellën e Zvicrës.
Të premten mbrëma Zeqiri realizoi gol nga penalltia në fitoren 3:0 të Zvicrës U-21, në udhëtim ndaj Gjeorgjisë. Ndeshja i takoi grupit të dytë të eliminatoreve për Euro 2021. Zeqiri shënoi për 2:0 në minutën e 69-të. Ai ka tetë gola në pesë ndeshje për U-21 të Zvicrës në këtë cikël eliminator.
Zeqiri së fundi është transferuar te Brightoni i Premier Leagues, ndërsa përmes një letre dërguar federatës zvicerane ka njoftuar se do të luajë edhe më tutje për këtë përfaqësuese. Ndryshe thotë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, që insiston se ai do të zgjedhë Kosovën.
Për Zvicrën të premten startuan edhe Toni Domgjoni, Bastien Toma e Kastriot Imeri. Zvicra i ka fituar shtatë ndeshjet e deritashme dhe prinë në grup me 21 pikë, tri më shumë se Franca. Toma po ashtu është dallur të premten, duke asistuar në dy gola.