Greqia dënoi kthimin e një anijeje turke për të eksploruar gaz në ujërat e diskutueshme në Mesdheun lindor dhe akuzoi Ankaranë për prishjen sistematike të paqes dhe sigurisë në rajon.
“Ne i kërkojmë Turqisë që të revokojë menjëherë vendimin e saj”, theksoi Ministria e Jashtme në Athinë, duke shtuar se ajo duhet “të ndërpresë menjëherë veprimet e saj të paligjshme”.
Autoritetet detare turke thanë se anija ”Oruc Reis” do të rifillojë kërkimin sizmik të rezervave të gazit në jug të ishullit grek të Kastellorizo dhe do të qëndrojë atje deri në 20 tetor.
”Anija ka hedhur spirancën dhe do të vazhdonte punën e saj të kërkimit”, theksoi ministri turk i Energjisë Fatih Donmez.
Anëtarët e NATO-s, Turqia dhe Greqia, kanë qenë në mosmarrëveshje rreth rezervave të gazit natyror dhe kufijve detarë për javë të tëra, të dy duke pretenduar të drejtën për të eksploruar dhe shpuar burimet e energjisë në të njëjtën pjesë të Mesdheut Lindor.