Megjithë rritjen e vrullshme të rasteve të reja, numri i vdekjeve nga Covid-19 ka një diferencë të madhe me prillin, kohë kur për shkak të saj u mbyllën pjesa më e madhe e vendeve të botës. Grafiku i vdekjeve ka ardhur në rënie në vendet europiane që kanë shtuar masat për kufizimin e përhapjes së infeksionit.
Në Britaninë e Madhe, piku ishte 19 prilli me 1172 raste vdekjeje.
Në Francë, piku ishte 11 prilli me 1438 vdekje në ditë.
Në Itali, piku ishte 27 marsi me 919 vdekje.
Në Spanjë, piku ishte 31 marsi me 929 vdekje.
Në SHBA, piku ishte 15 prilli me 2752 vdekje.
Një raport i fundit i OBSH-së, që mban datën 4 tetor, konfirmon pikërisht këtë: është rritur incidenca e rasteve të reja, por grafiku i vdekjeve ka qëndruar pothuajse konstant të paktën që nga 25 korriku. Kjo sidomos për vendet europiane, ndërsa për dy Amerikat rënia është më e lehtë.
Shkencëtarët thonë se ndryshimi është real, por arsyet për të – dhe nëse kjo situatë do të zgjasë – janë çështje debati.
Joshua Barocas, nga Universiteti i Bostonit, i pyetur nga “Washingon Post”, thotë se është e pamundur ta thuash me saktësi nëse ky është një trend apo një devijim i papritur.
Shkalla e vdekshmërisë ka qenë një “shënjestër e lëvizshme” qëkur shpërtheu pandemia. Në Kinë, raportimet e para se fiksuan atë në 7%, kjo kryesisht te pacientët e hospitalizuar, ndërsa kur Covid-19 mbërriti në SHBA, epidemiologët e vlerësuan diku mes 2-3% e rasteve të infektuara.
Zyrtarët e shëndetit publik thonë se arsye për këtë ulje mund të jetë ndryshimi i demografisë së virusit, që do të thotë se ata që po preken më shumë janë të rinjtë. Arsye tjetër mund të jetë testimi më i përhapur, që kap një gamë më të larmishme të njerëzve dhe sëmundjeve, dhe strategjitë e përmirësuara të trajtimit që përfshijnë antivirale dhe steroide, që po shpëtojnë më shumë jetë.
Një teori tjetër, ende e paprovuar, sugjeron se ne e kemi llogaritur gabim ndjeshmërinë e njerëzimit ndaj koronavirusit dhe se një pjesë e popullatës mund të jetë pjesërisht imune, ndoshta për shkak të ekspozimit të mëparshëm ndaj koronavirusit të ftohjes së zakonshme, vaksinave të fëmijërisë ose diçka tjetër.
Një mundësi tjetër është që diçka e rëndësishme të ketë ndryshuar në mjedisin tonë – moti, sjelljet apo edhe vetë virusi.