Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u shpreh sot se qeveria nuk po kujdeset për naftëtarët në Ballsh.
Vasili gjatë një deklarate për mediet deklaroi se “gratë naftëtare janë ngujuar në një grevë urie të paprecedent në Ballsh”.
“Vetëm ky fakt do të rrëqethte këdo njeri normal dhe ka rrëqethur tërë Shqipërinë pasi gratë punëtore dhe nëna njëherazi ndodhen në grevë urie thjesht dhe vetëm për diçka. Për djersën e ballit të tyre e cila iu është grabitur, iu është vjedhur, iu është plaçkitur”, u shpreh Vasili.
“E njëjta qeveri që paguan 10 milionë euro për incenerator që nuk punojnë në Fier edhe në Tiranë, për koncesion që shkon 370 milionë euro, paguajnë për inceneratorë miliona që nuk punojnë, nuk ekzistojnë. Sot është një ditë shumë kritike për Shqipërinë. SPAK-u i famshëm ka ditë të tëra që nuk ndihet, ndërkohë që hajdutët dhe hajdutëria me inceneratorët është atje në mes të sheshit, e shohin të tërë, edhe qytetari më i fundit e di”, theksoi Vasili.
“Sot SPAK-u është në provë, ndan përfundimisht bashkëfajësinë dhe bashkëhajdutërinë me qeverinë, ose do të hetojë e do t’i çojë përpara drejtësisë ata. Ne po mbajmë shënim çdo ditë të kaluar që SPAK-u mbyll gojën, SPAK-u nuk lëviz gishtin, do të thotë ortakëri me hajdutërinë, do të thotë bashkëfajësi, do të thotë bashkëpërgjegjësi, për të cilën do duhet të përgjigjet njëlloj si qeveria. Hajdutët e kanë kryer hajdutërinë e tyre, detyrën për t’i hetuar, për t’i çuar përpara drejtësisë e ka SPAK-u. Një provë e hekurt, e pakapërcyeshme: ose me hajdutët e me krimin, ose me ligjin. Rrugë të mesme nuk ka”, vijoi Vasili.