Japonia dhe Britania e Madhe sot kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale për tregti të lirë, që është marrëveshja e parë e tillë pas Brexit-it
Japonia dhe Britania e Madhe sot kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale për tregti të lirë, që është marrëveshja e parë e tillë pas Brexit-it.
Me këtë marrëveshje ulen doganat për mish qengji nga Yorkshire që shitet në Japoni si dhe të autopjesëve për fabrikën e Nissan-it.
“Sa e përshtatshme është të jesh në Tokën e Lindjes së Diellit për të mirëpritur në agimin e një epoke të re të tregtisë së lire”, tha sekretarja britanike për tregti ndërkombëtare, Liz Truss gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Tokio.
Duke u shfaqur me ministrin e Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi, Truss e quajti marrëveshjen një “pikë referimi” si marrëveshjen e parë të madhe tregtare për Britaninë pasi ajo bëhet përsëri një komb i pavarur tregtar.
Marrëveshja, që pritet të rrisë tregtinë britanike me Japoninë me 15 miliardë paund në vit, gjithashtu do ta bëjë më të lehtë për kompanitë britanike që të operojnë në Japoni.
Shërbimet financiare janë eksporti më i madh i Britanisë në Japoni, tani me 28 për qind. Vera angleze me gaz, mantelet dhe këpucët e prodhuara në Britani, djathi Stilton, mishi i derrit, qengji dhe biskotat do të bëhen më të lira në Japoni.
Motegi tha se marrëveshja dypalëshe siguron vazhdimësinë me marrëveshjen e mëparshme evropiane dhe shton fusha të reja për bashkëpunim të tilla si tregtia elektronike dhe shërbimet financiare.
Marrëveshja ekzistuese e tregtisë së lirë të Japonisë me Bashkimin Evropian përfshin Britaninë vetëm deri në fund të këtij viti, pasi ajo del nga BE-ja.
Miratimi në parlament është i nevojshëm në të dy shtetet përpara se marrëveshja të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm.



