Do javë më parë (22.8.2020) vdiq poeti dhe aktivisti i dikurshëm për çështjen kombëtare, Shefqet Sulajman Gavuçi në Xhedë të Arabisë Saudite dhe u varros në Damask pranë të atit në Damask, duke lënë kujtimet që tregojnë rrugëtimet e tij midis Shqipërisë, Egjiptit e Sirisë dhe në shërbim të kombit në vite të stuhishme të shekullit XX.
Shefqet Gavuçi lindi në Shkodër më 1918, djalë i parë i Hoxhës Sulejman Gavuçit, i cili ishte myderriz në një medrese të Shkodrës. Ndaj mësimet e para i mor tek i ati, kurse më vonë e kreu shkollën fillore në Shkodër, ku filloi të merrej me muzikë dhe ishte një prej anëtarëve të grupit muzikor. Në saje të dëshirës së të atit, Shefqeti shkoi në Kajro më 1936 për të studiuar në Az-har. Mirëpo, rrethanat e kohës ndikuan në formimin dhe orientimin e tij.
Në Kajro ai u lidh me koloninë shqiptare, e cila kishte famë në atë kohë, si dhe me teqenë bektashiane në Krye me baba Sirijun, dhe u bë aktiv me frymë kombëtare. Kështu, me rastin e pushtimit fashist të Shqipërisë në prill 1939, Shefqeti ishte në mesin e këtyre që organizuan dhe dolën në protestë kundër Italisë fashiste në rrugët e Kajros.
Kolonia shqiptare e Kajros u ngjall më shumë me ardhjen e Mbretit Zog në mars 1946 si mbret legjitim, pasi që Egjipti i dinastisë shqiptare nuk e njohu “Republikën Popullore të Shqipërisë”, por e priti Zogun si mbret duke lënë në dispozicion Ambasadën e Mbretërisë Shqiptare në Kajro. Ç’është e vërteta, Zogu erdhi në Kajro me një projekt të madh: të bashkohet opozita antikomuniste e të formohet komiteti politik si qeveri në mërgim, e të shpëtojë prej kampeve të refugjatëve të Italisë elitën politike e ushtarake shqiptare duke përgatitur një forcë ushtarake, me ndihmën financiare të shteteve të Ligës Arabe, për ta “çliruar Shqipërinë prej regjimit komunist” në bashkëpunim me CIA-n amerikane dhe MI6 britanike.
Në këtë kontekst, Shefqeti kaloi në Damask të Sirisë më 1946 jo si hoxhë i Az-harit, por si aktivist në shërbim të këtij projekti të madh. Kështu, ai u ngarkua nga mbreti Zog që të kujdeset për elitën politike-ushtarake që vinte nga Italia në Bejrut, e nga Bejruti në Damask, ku Shefqeti u kujdes për vendosjen e tyre nëpër hotele. Në mesin e kësaj elite kishte ministra prej Kosovës e Shqipërisë, si dhe nja dhjetë ushtarakë shqiptarë në krye me nënkolonelin Myll Bajraktari. Me praninë e tyre në Damask, u gjallërua kolonia shqiptare atje. Kështu, Shefqeti ishte një prej nismëtarëve për themelimin e Shoqërisë Shqiptare në Damask më 1949. Ai insistoi në karakterin kombëtar, përkatësisht për ruajtjen e gjuhës e letërsisë shqipe, duke hapur edhe kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Një prej studentëve të parë ishte Abdylatif Arnauti, i cili më vonë do të bëhej shkrimtar e përkthyes i njohur i letërsisë shqipe.
Pas grusht shtetit të Naserit më 1952 në Egjipt dhe largimit të mbretit Zog nga Egjipti për në Francë, erdhi në Damask delegacioni i parë nga Shqipëria e re për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar në Damask më 1956, me ç’rast delegacioni e thirri Shefqetin për ndihmë teknike. Kështu, u hap tani rruga Tiranë-Damask që kishte ndikim pozitiv për koloninë shqiptare pasi shumica e shqiptarëve e kishin humbur lidhjen me atdheun (Kosovën). Në këtë kontekst, Shefqeti u furnizua me abetare dhe libra të ndryshëm për kurset që mbante, kurse ai arriti të sigurojë disa bursa për rininë shqiptare për të studiuar mjekësinë në Universitetin e Tiranës, gjë që ishte punë e madhe për atë kohë. Kështu, me ndihmën e tij, tre shqiptarë arritën të mbarojnë mjekësinë e të bëhen mjekë të njohur më vonë (Masar Gavuçi, Said Arnauti dhe Mamun Arnauti).