Gjergj Fishta u lind ne Fishtë të Zadrimës me 23 tetor 1871 dhe u pagëzua me emrin Zef. Marian Pizzochini, themeluesi i seminarit franceskan në Troshan të Lezhës, ua kërkoi prindërve ta bënte frat. Ai e dërgoi në kolegjin Franceskan të Shkodrës deri më 1982 e më vonë në kolegjin Franceskan në Troshan. Më pas Fishta studioi filozofi e teologji në Bosnje. Viti 1894, 23 vjeç, e gjen meshtar në Troshan.
Më 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Më 1902 u bë i pari drejtor shqiptar i Gjimnazit Françeskan në Shkodër. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqip. Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare.
Ishte përkthyes i Shqipërisë në Konferencën e Versajës 1919, dhe sekretar I delegacionit shqiptar në konferencën e paqes së Parisit. Ishte deputet i Shkodrës dhe në 1921 ishte zv/kryetar i parlamenti. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937).
Fishta është nderuar me dekoratën Maarif Nisani Klasi II (e para nga e majta), nga Sultan Mehmed V në 1912. Iu dha Kryqi i Kalorësit i Urdhrit Perandorak të Austrisë Franz Joseph (e dyta nga e majta). Në vitin 1925 iu akordua “Medaglia di Benemerenza” nga Papa Piu XI (e treta nga e majta). Në vitin 1931, iu akordua medalja “Komandant i Urdhërit të Feniksit” nga qeveria Greke (Medalja e varur në qafë).
At Gjergj Fishta vdiq më 31 dhjetorit 1940 dhe u varros ne kishën e Gjuhadolit në Shkodër. Pas vitit 1945, regjimi komunist e censuroi poetin kombëtar Gjergj Fishta. U hoq vepra e tij nga qarkullimi letrar, u ndalua studimi i tij institucional, për të shkaktuar një nga vakuumet më të tmerrshme në kulturën kombëtare.
Më 1967 varri i Fishtës u dhunua, dhe sipas dëshmitarëve okularë, eshtrat u hodhën në lumin Drin. Ceremonia e rivarrimit te poetit bëhet me 29 dhjetor 1996 në Kishën franceskane të Gjuhadolit, Shkodër. Më 23 tetor 2020 inagurohet shtëpia e lindjes së poetit në Troshan të Lezhës.
Foto nga Kel Marubi e vitit 1931/ Përpunuar me ngjyra për DOSJA.al nga Suad Barbullushi