Conor McGregor e ka uruar rivalin e vet afatgjatë, Khabib Nurmagomedov, për fitoren kundër Justin Gaethje në meçin UFC 254, si dhe i ka dërguar mesazh përkrahës pasi luftëtari rus u pensionua befasisht.
Nurmagomedov u pensionua si luftëtar i pamposhtur në 29 meçe në UFC, menjëherë pasi e mposhti Justin Gaethjen në rundin e dytë në luftën për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës në kategorinë e lehtë të shtunën në Abu Dhabi.
32-vjeçari tha se nuk do të luftojë më për nder të babait të vet të ndjerë, Abdulmanap, i cili ishte edhe mentori dhe trajneri i tij, që vdiq në korrik pas problemeve shëndetësore që ia shkaktoi Covid-19.
“Kjo ishte lufta ime e fundit. Në asnjë mënyrë nuk do të kthehem këtu pa babanë tim”, tha Khabib pas meçit.
Khabib kishte rivalitet të madh dhe të egër me yllin e UFC-së McGregor për një kohë të gjatë, por irlandezi i ka lënë anash kritikat e zakonshme për rusin dhe e ka uruar për suksesin si dhe për pensionimin.
“Paraqitje e mirë. Nga këtu e vazhdoj unë”, shkroi McGregor në Twitter, duke e përmendur Khabibin.
“Respekt dhe ngushëllime për babanë tuaj edhe një herë. Për ty dhe familjen tënde. I juaji sinqerisht, McGregorët”, shkroi irlandezi.