Eurokomisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi ka komentuar në rrjetin social vendimin e Presidentit Meta për t’a dërguar ligjin për ndryshimet në kodin zgjedhor në Komisionin e Venecias, teksa pak ditë më parë kreu i shtetit ia ktheu draftin kuvendit për rishqyrtim.
Këtë të hënë komisioneri është shprehur se beson tek një dhënie përgjigje të shpejtë nga ana e komisionit të Venecias dhe se parlamenti do të ishte e udhës të priste këtë sugjerim përpara se të rivotonte kodin zgjedhor.
“Kodi zgjedhor në Shqipëri: Besoj se Komisioni i Venecias do të japë një këshillë të shpejtë për të interesuarit në implementimin e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të konsiderojë vendimin për të pritur rivotimin e ndryshimeve, në mënyrë që të marrë në konsideratë këtë këshillë. Pres me padurim zgjedhje të lira e të ndershme në prill 2021.”-shkruan eurokomisioneri.

Kujtojmë se po sot, Rama u shpreh se kodi zgjedhor do të votohet njëlloj siç ishte, por duket se pas reagimit të përfaqësuesit të BE-së, mbetet për t’u parë sesi do të përgjigjet qeveria.