Qeveria e Holandës ka zyrtarizuar vendimin e saj kundër thirrjes së tryezës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Është kjo tryezë që konfirmon nisjen zyrtare të negociatave, por sipas Holandës, vendi ynë nuk ka plotësuar ende kushtet e kërkuara nga Këshilli Evropian.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten për holandezet, kushte të paplotësuara nga Qeveria Shqiptare.
Në këtë situatë, Qeveria holandeze propozon që negociatat me Tiranën të zyrtarizohen në një moment tjetër.
Ndër të tjera në këtë dokument thuhet:
“Në 20 mars, Këshilli Europian vendosi që për Shqipërinë të mbajë tryezën e parë ndër-qeveritare nëse do të ishin përmbushur kushtet e vendosura. Për qeverinë (shqiptare) është thelbësore që të ardhmen të bëjë më shumë progres në këto çështje dhe vetëm nëse kushtet e përcaktuara nga Këshilli Europian në mars janë plotësuar në mënyrë bindëse do të mbahet tryeza e parë ndërqeveritare me Shqipërinë.
Qeveria (holandeze) mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se “pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur” është i parakohshëm.
Qeveria (holandeze) mbështet vlerësimin e Komisionit se nuk ka ende kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe se duhet bërë përparim i mëtejshëm në lidhje me rishikimin e ligjit për mediat bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias.
Pavarësisht emërimit të disa jo-magjistratëve, Gjykata e Lartë nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet. Janë ndërmarrë hapa kryesorë, në veçanti, në fushën e vetingut të gjyqtarëve të vjetër dhe prokurorëve, por kjo ende nuk po çon në dënime aktuale të gjyqtarëve të cilët ishin akuzuar për akuza penale gjatë aktivitetit të tyre.
Korrupsioni mbetet një problem i madh dhe i përhapur që do të vazhdojë të kërkojë vëmendje në vitet që vijnë. Në këtë kontekst, është pozitive që SPAK tani është plotësisht funksional.
Raporti i fundit i GRECO thotë se Shqipëria po punon kundër korrupsionit. Por Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në ndërtimin e një historiku solid në hetimin dhe ndjekjen penale përfundimtare duke dënuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet”

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Amsterdami zyrtar nuk ka nxjerrë asnjë pengesë dhe se tryeza e parë ndërqeveritare mund të thirret sa po të jetë gati korniza e negociatave.
Vendimet e Qeverisë i kanë kaluar tashmë Parlamentit holandez, që do të marrë vendimin përfundimtar./Ora News/