Kosova ka kërkuar nga Gjermania rol aktiv të kancelares Angela Merkel në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme e Kosovës, në një takim të ministres, Meliza Haradinaj-Stublla me zëvendëshefen e parë për Punë të Jashtme dhe Siguri në zyrën e Merkelit, Christina Beinhoff, në Gjermani, është kërkuar nga Gjermania që t’i jepet epilog çështjes së liberalizimit të vizave dhe dialogut.
“Kishim diskutime të thella rreth dy temave strategjike për Kosovën: liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë, duke kërkuar edhe njëherë rolin aktiv të Kancelares Merkel për t’i dhënë drejtimin e domosdoshëm strategjik epilogut të tyre”, ka thënë Haradinaj-Stublla. “E drejta e fituar e Kosovës për lëvizje të lirë duhet të formalizohet sa më parë, dhe dialogu me Serbinë nuk ka epilog tjetër pos njohjes reciproke në kufijtë ekzistues, dhe sipas rendit aktual Kushtetues, si parime të panegociueshme”.