Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, ka përmbyllur izolimin për koronavirusin, duke ju bashkuar naftëtarëve në grevën e urisë. Dautaj rezultoi pozitiv me 23 tetor.
“Pasi kalova një periudhë të vështirë për shkak të sëmundjes që qarkullon sot rikthehem mes kolegëve të mi që ndodhen në ditën e 41 të grevës së urisë. Gjendja është tejet e rënduar. Ka ndikuar jo vetëm mosmarrja e një përgjigjegje pozitive për uljen në bisedime nga palët por edhe stresi dhe sëmundjet e akumuluara ndër vite pasi dihet që këto naftëtare prej 40 vitesh punojnë në një ambjent të rënduar, me ndotje të ndryshme kimike që shfaqin sëmundje bashkëshoqëruese në shëndetin e tyre”.
Nisur nga situata e rënduar e grave greviste Dautaj tha se do të takohet nesër me naftëtarët për të parë sesi do të procedohet dhe për të gjetur mundësinë e uljes në negociata me qeverinë.
“Pres që nesër të zhvilloj një takim me kolegët, nuk është çështje personale por e gjithë naftëtarëve. Pritet të arrihet një kompromis për të parë dhe për të arritur një zgjidhje të mundshme midis palëve. Kam ndjekur në vazhdimësi deklaratat e kryeministrit për daljen e kolegëve nga greva, besoj se nuk ka qenë kjo pengesa.Ne kemi njerëzit e duhur për të qenë në takim të përfaqësuar me palën qeveritare. Është një situatë e paprecedent, një grevë e pandodhur më parë. Kemi pasur reagime nga të gjitha sindikatat botërore që solidarizohen me grevën tonë. Nuk ka reagim vetëm nga palët tona sindikale.Ka neglizhencë totale, ti vënë gishtin kokës dhe të reagojnë një orë e më parë”.
Por ai paralajmëroi se nuk do të ketë buisedime për të prishur grevën.
“Gjendja është tejet e rënduar, shpresojmë të merret një vendim nga pala qeveritare për tu ulur në bisedime. Por mund të shkojmë në bisedime dhe të mos arrijmë gjë. Nuk do të ketë bisedime për të prishur grevën e urisë. Ne kërkojmë diçka ligjore, të drejtë që asnjë nga palët nuk na e rrëzon dot”.