Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke u paraqitur për herë të parë para Gjykatës Speciale.
Kur gjykatësi e ka pyetur nëse i ka kuptuar akuzat, ish-shefi politik i UÇK-së është përgjigjur shkurt, duke deklaruar pafajësinë.
“I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, ka deklaruar Thaçi.
Një sekretar i Speciales i ka lexuar akuzat e rënda ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykatësi Nicolas Guillou i ka thënë Thaçit paraprakisht se sot s’është koha që t’i kontestojë akuzat ndaj tij.
Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimn u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.