Kryetar i VV-së, Albin Kurti ka ligjeruar para studentëve ga Austria, ku ka thënë se paqja, stabiliteti dhe siguria duhet të jenë konsekuenca të shtetit tonë të drejtë e demokratik.
Postimi i Kurtit në Facebook:
Mbrëmë mbajta një prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Austria. Ata studionin të drejtat e njeriut në nivelin Master dhe ishin shumë të interesuar të mësonin më shumë rreth Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe programit tonë zhvillimor.
Unë iu shpjegova se vizioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të ardhmen e Kosovës bazohet në shtyllat mbi të cilat u ngrit edhe Bashkimi Evropian: ndërtimi i institucioneve dhe paqes përmes antifashizmit, i shtetit zhvillimor dhe drejtësisë sociale, si dhe NATO-ja si aleancë për siguri. Në këtë linjë, Kosovës i duhet demokraci, drejtësi dhe zhvillim që të kemi paqe, stabilitet e siguri të qëndrueshëm. Paqja, stabiliteti dhe siguria duhet të jenë konsekuenca të shtetit tonë të drejtë e demokratik, zhvillimor e social. Me Fondin Sovran e Bankën Zhvillimore, me luftimin e krimit e të korrupsionit, me ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, qeverisja e ardhshme nga Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta mundësojë e realizojë përparimin e gjithmbarshëm.
Pas prezantimit, bashkë me studentët diskutuam për shumë çështje, veçanërisht per konceptin e ‘vetëvendosjes’ dhe kuptimin e posaçëm progresist që merr në kontekstin e vendit tonë, në atë të rezistencës kundër shtypjes, mospranimit të shfrytëzimit dhe çlirimit nga kolonializmi. Si e tillë, vetëvendosja është demokratike, vjen prej poshtë e lind nga populli, dhe shpreh vullnetin e tij për barazi e liri, për drejtësi dhe zhvillim.
Uroj që studentët të kalojnë mirë gjatë vizitës së tyre në Kosovë, dhe, i falënderoj për një diskutim dhe bashkëbisedim të frytshëm.